Valentina Duka kërkon ndëshkimin e Dakos: Po i fshihet publikut, por llogaritë i ka bërë gabim

Deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka ka kërkuar sot nga selia blu ndëshkimin e Vangjush Dakos, kryebashkiak i Durrësit, për atë që demokratët e konsiderojnë ‘krim elektoral’.

Vangjush Dako i fshihet opinionit publik, tha Duka, por llogaritë i ka bërë gabim.

“Fshehja dhe heshtja për krimin elektoral në bashkëpunim me bandat, pazaret okulte që bën me Edi Ramën dhe prokurorinë, nuk  prishin provat e dosjes voluminoze 339”, u shpreh deputetja demokrate.

Reagimi i plotë i Valentina Dukës:

Vangjush Dako është fshehur nga opinion publik me shpresën se duke mos u shfaqur para qytetarëve, duke heshtur dhe duke mos dhënë llogari, krimi i tij elektroal do të harrohet.

Vangjush Dako i ka bërë llogaritë gabim!

As fshehja, as heshtja, as pazaret e tij okulte që ai bën me Edi Ramën dhe prokurorinë, nuk mund të prishin provat e krimit të tij, blerjes së votave me bandat.

Përgjimet në dosjen 339 janë me qindra. Ato që kanë dalë deri tani janë vetëm fillimi.

Përgjimet në dosjen 339 nxjerrin zbuluar bashkëpunimin e Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve për të vjedhur votat në Qarkun e Durrësit, në këmbim të favoreve në bashkinë e Durrësit dhe deri në kryeministri.

  • Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylajn, me nofkën Niçja, të cilit i premton favore, e provon këtë.
  • Biseda e Dakos me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve e provon këtë.
  • Telefonatat e bandës drejtuar Dakos, kur rrethohet nga forcat e FNSH-së e provon këtë.

Në dosjen 339 provohet skema që Edi Rama ndoqi në Durrës, Dibër, Lezhë, Shkodër, Elbasan e në të gjithë Shqipërinë, për të bashkëpunuar me bandat lokale të krimit të organizuar, sipas pazarit “vota në këmbim të tenderave dhe mosndëshkimit prej policisë”.

Vangjush Dako është emblema e kësaj qeverie të dalë nga votat e blera të shqiptarëve të varfër, prandaj ai e ka vendin  prapa hekurave si shembulli i parë i ndëshkimit të krimit elektoral.

Pa ndëshkimin e modelit që blen vota dhe kërcënon zgjedhësit, duke instaluar një pushtet ilegjitim kundër interesit të qytetarëve, në Shqipëri nuk ka për të patur as stabilitet, as normalitet demokratik.