Flash News

KRYESORE

Zëri i Amerikës citon raportin e OSBE/ODIHR: Përdorimi i administratës minoi procesin e 30 qershorit

Zëri i Amerikës citon raportin e OSBE/ODIHR: Përdorimi i

Zëri i Amerikës ka pasqyruar menjëherë raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për procesin e 30 qershorit. VOA ka evidentuar disa nga gjetjet kryesore, duke filluar nga klima e polarizuar politike te presionet ndaj administratës publike për të votuar me çdo kusht.

Në një klimë ngërçi dhe polarizimi politik, votuesit nuk e patën mundësinë të zgjidhnin mes disa opsioneve politike”, thuhet në raport, transmeton VOA. Në gjysmat e bashkive kandidatët garuan pa kundërshtarë, ndërsa vëzhguesit morën pretendime të besueshme nga qytetarët për presione nga të dyja palët. “Përplasjet politike çuan në pasiguri juridike dhe shumë vendime të administratës zgjedhore u morën duke pasur si objektiv mbajtjen e zgjedhjeve”.

Vëzhguesit thanë se shumë rekomandime të mëparshme të ODIHR-it mbeten të paadresuara, duke përfshirë edhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore, transparencën e financimit të fushatës dhe efiçencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve zgjedhore.

“Ekuilibri politik i parashikuar me ligj brenda administratës zgjedhore nuk u arrit për shkak të refuzimit të partive kryesore opozitare për të emëruar komisionerët e tyre dhe interpretimit më pas të KQZ-së se vetëm ato parti që marrin pjesë në zgjedhje mund të përfaqësohen në administratën zgjedhore. Përbërja e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi” - theksoi raporti i ODIHR-it.

Vëzhguesit pohuan se gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në tubime dhe në media ishte shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza. “Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u përballën me presione direkte dhe indirekte për të shfaqur preferencat e tyre politike” - theksoi raporti.

Vëzhguesit pohuan se fushata zgjedhore ishte e padukshme; përveç afishimeve për edukimin e zgjedhësve, ODIHR-it vuri re një numër të vogël posterash dhe shenjash të tjera që tregonin për zgjedhje të afërta.

“Shumë kandidatë i shprehën Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve së ODIHR-it vështirësinë për motivimin e zgjedhësve për të marrë pjesë në votim. Aktivitetet e kufizuara të fushatës mbetën në hije për shkak të zhvillimeve në shkallë vendi që i thelluan edhe më tej ndarjet e hershme politike. Debatet mbi një numër të madh temash politike u dominuan nga çështja e mospjesëmarrjes në zgjedhje të partive kryesore opozitare dhe nga diskutimet rreth datës së zgjedhjeve”, përfundon ODIHR.

Të fundit