Flash News

Ditari i Maxhorancës

Kushi uron vitin e ri akademik, injoron protestën e pedagogëve

Kushi uron vitin e ri akademik, injoron protestën e pedagogëve

Viti i ri akademik për studentët dhe pedagogë nis me protesta dhe bojkote. Stafi akademik ka kërkuar nga qeveria rritje të pagave me 20-30% dhe deri në plotësimin e kërkesave, do të protestojnë çdo ditë.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka uruar studentët dhe pedagogët në nisje të vitit të ri akademik, por nuk ka thënë asnjë fjalë për protestën e cila do të mbahet nga sot e në vazhdim në çdo fakultet.

Në postimin e saj në Facebook, Kushi i referohet krizës si pasojë e luftës në Ukrainë dhe mbështetjes që qeveria ka ofruar në kadër të saj. Ministrja ndalet te projektet dhe programët që synojnë t’i japin universiteteve shqiptare kushte prestigjioze, por nuk ndalet në asnjë moment te kërkesat e pedagogëve të cilat kanë sjellë protestat dhe bojkotin e vitit të ri akademik.

“Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve. Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu.

Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare.

Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve të akomodimit në rezidencat studentore, si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera universitare. Kemi forcuar bashkëpunimin edhe me bashkitë, vetë universitetet dhe donatorë të ndryshëm, që infrastruktura universitare kudo në Shqipëri të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore.

Dua t’ju falënderoj me zemër që keni vendosur të studioni në Shqipëri, duke i besuar ndër të tjera edhe procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve. Ky proces do t'i japë edhe më shumë cilësi dhe vlerë diplomës suaj, duke u afruar më shumë me universitetet më prestigjoze evropiane e botërore.

Ne do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që ju të keni alternativa të reja cilësore studimi këtu, me qëllim që pas studimeve të integroheni sa më shpejt në tregun e punës e të jepni sa më shumë kontribut për Shqipërinë tonë të dashur.

Ne kemi nevojë për ju! Vendi ka shumë nevojë për ju!

Dy fjalë edhe për ju, të dashur kolegë pedagogë.

Dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time maksimale për punën dhe përkushtimin tuaj në formimin e profesionistëve të së ardhmes. E në këtë fillim viti akademik, kam besim që ne do t'i rrisim më tej përpjekjet dhe bashkëpunimin për të bërë më të mirën për studentët tanë, por edhe për të rritur performancën në të gjitha aspektet akademike e universitare, në funksion të zhvillimit të vendit. Mbështetja jonë edhe për ju do të vazhdojë pa u ndalur”, shkruan Kushi.

Të fundit