Flash News

Ditari i Opozitës

Ademi s'e njeh vendimin për shkarkimin nga kreu i ShBSh: Pres vendimin përfundimtar të Kushtetueses

Ademi s'e njeh vendimin për shkarkimin nga kreu i ShBSh: Pres vendimin

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar pasi u shkarkua si kryetare Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe u zëvendësua nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi shkruan se sot pati një tentativë për të dëmtuar demokraicë dhe për të kapur ilegalisht  Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, duke nënkuptuar se nuk e njeh vendimin për shkarkimin e saj. Ajo shton më tej se çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.

Ademi shprehet se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është e vendosur për të vijuar deri në fund duke shprehur vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Reagimi i plotë:

“Shqyrtimi dhe vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019, është një ndër 15 kushtet  që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën.

Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në Lezhën e Besëlidhjes, sot eksponentë të Partisë Socialistë tentuan të dëmtojnë Demokracinë. Sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht  Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, veprime te ndërmarra nga eksponentë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë konsideron se demokracia lokale dhe sundimi i ligjit kanë rëndësi madhore për integrimin e vendit tonë. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është e vendosur për të vijuar deri në fund duke shprehur vullnetin e saj për të respektuar ligjin dhe vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Ademi.

Të fundit