Flash News

KRYESORE

Foto/ Atmosfera brenda sallës ku po merret vendimi për Shqipërinë. Gjermania: Ne jemi pro. Franca? Nuk jemi të sigurtë

Në Luksemburg po zhvillohet aktualisht mbledhja e Këshillit të Punëve të Përgjithshme të BE ku ndër të tjera po diskutohet edhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Fotot nga brenda sallës tregojnë se negociatat dhe diskutimet midis palëve janë intensive, me disa shtete që janë kthyer tashmë avokate të Tiranës për hapjen e negociatave dhe një grup i vogël shtetesh që kanë paralajmëruar veton.

Përpara se të hynte brenda në mbledhje, Michael Roth, ministër për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, ka deklaruar se shteti i tij i ka dhënë dritën jeshile negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për të gjithë ne në BE, kjo është arsyeja përse vlerësoj të gjitha përpjekjet që kanë bërë këto dy shtete. Gjermania është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë. Jemi gati të japim dritën jeshile dhe dua të inkurajojmiqtë tanë në Francë dhe Holandë”, tha Roth për gazetarët.

I pyetur nëse Franca dhe Holanda do të tërhiqen nga veto, Roth u përgjigj: “Nuk jam i sigurt, por shpresoj.”

Gjithsesi, ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok deklaroi sot se Holanda është gati të pranojë hapjen e negociatave me vendin tonë, duke lëvizur nga pozicioni i ngurtë që ka mbajtur për muaj me radhë.

Këshillit i Punëve të Përgjithshme do të përgatisë raportin për negociatat, por nëse sot Shqipërisë i miratohet hapja e negociatave, vendimi përfundimtar do të merret më 28 korrik, në samitin e lidërve të BE-së.

Të fundit