Flash News

KRYESORE

Reforma Zgjedhore/ Këshilli Politik mblidhet sërish sot, pikat e ‘nxehta’ që do shpalosen në tryezë

Reforma Zgjedhore/ Këshilli Politik mblidhet sërish sot, pikat e

Ndërsa palët kanë gjetur të tjera dakordësi, Këshilli Politik do të mblidhet sërish sot paradite për të diskutuar për të tjera pika që implementojnë Reformën Zgjedhore.

Takimi mes Damian Gjiknurit nga PS, Rudina Hajdarit nga opozita në parlament, Oerd Bylykbashit nga PD dhe Petrit Vasilit nga LSI pritet të zhvillohet sërish në Pallatin e Kongreseve në orën 11.00.

Kujtojmë se mbrëmë, pas 4 orësh mbledhje mes përfaqësuesve u dakordësua për tri çështje, të cilat më pas do të detajohen nga ekspertët e reformës zgjedhore, konkretisht që të ketë efektivë të policisë jashtë çdo qendre votimi dhe numërimi, të cilat duhet të pajisen me kamera.

Lidhur me prokurorinë, palët kanë rënë dakord që SPAK të hetojë krimet zgjedhore, kurse prokuroritë në rrethe duhet të ngrenë grupe të posaçme për të hetuar shitblerjen e votës. Nga ana tjetër palët politike kanë rënë dakord që çdo person që denoncon shit-blerjen e votës të aministohet.

Më herët, u ra dakord edhe për periudhën zgjedhore, kuotat gjinore dhe financimi i partive.

Çfarë nuk u ra dakord?

Gjatë mbledhjes së mbrëmshme, palët nuk kanë gjetur ende një dakordësi sa i takon vendosjes së një ministri teknik në 100 ditë para zgjedhjeve, si garanci për një proces të rregull zgjedhor, për teknologjinë në zgjedhje, pasi maxhoranca nuk është dakord për identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik.

Çfarë diskutohet sot

Në mbledhjen e sotme, Këshilli Politik për reformën zgjedhore pritet të diskutojë lidhur me sistemin danez që është propozuar nga ambasada e SHBA në Tiranë, identifikimin biometrik, krimet zgjedhore, depolitizimin e administratës zgjedhore.

Kujtojmë se pas mbledhjes së mbrëmshme, reagoi ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me të cilët dje ka patur takime ‘kokë më kokë’ para mbledhjes.

Përmes një shënimi në Twitter, Kim ka përgëzuar palët, duke shpresuar se do të merren vendime të rëndësishme.

“Më vjen mirë të shoh se Këshilli Politik për reformën zgjedhore po bën më shumë progres. Unë i kam takuar të gjithë anëtarët dhe besoj se ata do të marrin vendime të mençura. Faleminderit që po vendosni të parën të ardhmen e Shqipërisë”, shkroi Kim.

Të fundit