Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha kujton 36-vjetorin e 2 korrikut 1990: Kryengritja që goditi diktaturën komuniste në Tiranë

Berisha kujton 36-vjetorin e 2 korrikut 1990: Kryengritja që goditi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me një mesazh përkujtues me rastin e 36-vjetorit të ngjarjeve të 2 korrikut 1990, të cilat i cilëson si një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.

Në mesazhin e tij, Berisha e përshkruan 2 korrikun si një “kryengritje paqësore” që, sipas tij, goditi rëndë sistemin diktatorial dhe i dha një goditje vendimtare regjimit komunist në vend.

Ai shkruan se mijëra qytetarë, mes tyre të rinj, punëtorë, intelektualë dhe të persekutuar, u ngritën në atë kohë duke hyrë në oborret e ambasadave të huaja në Tiranë, në një akt që sipas tij pati jehonë të madhe ndërkombëtare dhe shënoi fillimin e fundit të regjimit.

POSTIMI:

36-vjetori i kryengritjes së 2 korrikut 1990.

Të dashur miq, në historinë e qëndresës së shqiptarëve kundër diktaturës staliniste më jetëgjatë në Europë dhe lirisë së tyre, 2 korriku 1990 do të mbetet një nga ditët më të shënuara.

Me datën 2 Korrik të vitit 1990, mijëra të rinj, punëtorë por edhe intelektualë e të persekutuar të Tiranës u ngritën kundër diktaturës komuniste dhe me një guxim epik shembën në Tiranë Murin e Berlinit, hynë në oborrin e ambasadës gjermane dhe ambasadave të tjera. Me aktin e tyre të guximit të jashtëzakonshëm ata shembën në Tiranë Murin e Berlinit dhe plagosën për vdekje diktaturën e fundit staliniste në Europë.

Por, mjerisht, qytetarët e Tiranës dhe inteligjenca e saj ato ditë u gjetën në bisht të kohës. Ata nuk guxuan të mbështesin kryengritjen e guximtarëve të kombit, nuk mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës për të përmbysur, si në vendet e tjera ish-komuniste, diktaturën hoxhiste në Shqipëri.

Por, pavarësisht nga kjo, Kryengritja paqësore e 2 korrikut 1990 goditi rëndë dhe bëri të pashpresë diktaturën komuniste në Tiranë. Ajo, me jehonën e saj të jashtëzakonshme, i dëshmoi botës se Shqipëria socialiste nuk ishte dhe nuk do të mbetej shkëmb graniti i socializmit në Europë, apo Kuba e Adriatikut dhe se diktatura në këtë vend kishte hyrë në agoninë e saj.

Ndaj dhe sot ju ftoj të përulemi me mirënjohje të thellë dhe nderim të madh para të gjithë atyre djemve dhe vajzave të pamposhtur e guximtarë që përmbysën më 2 korrik të vitit 1990 Murin e Berlinit në segmentin më të lartë, më të trashë, më të zi të tij në Tiranë.

Mirënjohja jonë këtë ditë shkon edhe për ambasadorin e RFGJ, Werner Daum, Ambasadorin e Lirisë, që hapi dyert e ambasadës së vendit të tij për mijëra e mijëra shqiptarë, por dhe kolegët e tij për mbështetjen e tyre të fuqishme për kryengritësit e 2 korrikut dhe popullin e shtypur shqiptar.

Mirënjohjen më të thellë dhe nderimin më të veçantë për martirin e kësaj kryengritjeje, të riun 15-vjeçar Artim Basha, që ra për të mbetur i pavdekshëm në altarin e lirisë së shqiptarëve.


Latest news